Fillimi Travel

Vende të mrekullueshme për martesë në Europë

31/03/2018

Jeni fejuar, keni vendosur unazën në gisht, por nuk keni bërë ende diçka tejet të rëndësishme: nuk keni gjetur vendin se ku do ta bëni dasmën. Të gjithë duam që dita e dasmës të jetë një ditë e veçantë dhe për këtë arsye, me siguri që po kërkoni ndonjë xhevahir të vogël, të fshehur në ndonjë qoshk të botës. Rebel Heart ka përzgjedhur disa vende të mrekullueshme, që do t’ju ndihmojnë të bëni zgjedhjen e duhur për vendin se ku do ta kaloni ditën më të bukur të jetës suaj.

 

Itali

Nuk ka më mirë se Europa për të zgjedhur vendin e duhur për ditën e dasmës suaj dhe Italia është një prej shteteve europiane që ofrojnë vendet më të bukura për këtë, si Liqeni i Komos, Kapri e përse jo, edhe rajoni mahnitës i Toskanës.

Vetëm tridhjetë minuta larg nga Milano, Liqeni i Komos ofron vende piktoreske dhe të paqta dhe Vila e Balbianelos është mishërimi i vendit elegant për dasmën tuaj. Vila të ofron një pamje 360 gradë të liqenit dhe në të janë organizuar shumë dasma dhe shërbime fotografike nga më të famshmit.

Villa del Balbianello, Liqeni i Komos

 

Kapri ofron disa vende me peizazhe mahnitëse për ceremoninë e dasmës. Kopshtet e Augustit ndodhen në qendër të Kaprit, me pamje nga Faraglioni dhe Marina Piccola.

Kopshtet e Augustit ne Kapri, Itali

 

Vila Lysis është një tjetër vend shumë i bukur për dasma. Ajo u ndërtua nga konti Fersen në nder të së dashurës së tij të zemrës.

Vila Lysis ne Kapri, Itali

 

Nëse doni të gjeni vendin më të bukur në rajonin e Toskanës, do ta keni pak të vështirë të zgjidhni, pasi Firence, Siena, Montepulcino, Cortona, Certaldo, Montalcino dhe Arezzo ofrojnë mijëra vende të mahnitshme për të organizuar dasmën tuaj të ëndrrave. Duke qenë se karakterizohemi nga një shpirt romantik, ne të Rebel Heart mendojmë se duhet të zgjidhni një vilë të vendosur në zemrën e një vreshti. Imagjinoni një ceremoni të zhvilluar në një vend që rrethohet nga rreshta pa fund vreshtash në gjelbërim. Fotografitë e dasmës do të dalin të shkëlqyera, kështu që sigurohuni të gjeni edhe një fotograf shumë të mirë.

Firence

 

Castello di Vincigliata ne Toskane

 

France

Lugina Loire do të ishte vendi i përsosur në Francë nëse keni ëndërruar ta bëni dasmën në një chateau të bukur. Kjo luginë ka një pafundësi chateau, por ne duam të vëmë në dukje Chateau de Challain, për shkak të bukurisë përrallore të saj. Është shumë e veçantë dhe kur je atje, të duket vetja si personazhi kryesor i një filmi të Disney-t. Brenda chateau, do të mahniteni nga shkëlqimi i tavaneve të punuara me dorë, oxhakëve që gjenden në çdo suitë, qirinjve mbi tavolina dhe nga shtretërit me pupla.

Chateau de Challain ne Loire Valley, France

 

Nëse doni të bëni një dasmë luksoze, Hotel du Cap-Eden-Roc është vendi i duhur, ku do të mund të shijoni edhe një pamje të mrekullueshme të rivierës franceze.

Hotel du Cap-Eden-Roc ne France

 

Irland

Mos përjashtoni në asnjë mënyrë Irlandën nga lista e vendeve ku mund të përzgjidhni, sepse Kështjella Ashford, në Irlandë, ka organizuar shumë dasma të famshme dhe konsiderohet si një nga vendet më romantike. Informacione për kështjellën Ashford mund të gjeni këtu.

Do të hipnotizoheni nga arkitektura e saj, që e bën atë vendin më romantik, të pakohë dhe magjik, për dasmën tuaj.

Keshtjella Ashford ne Irlande

 

Turqi

Të jeni të sigurt se në Ciragan Palace Kempinski, në Stamboll, mund të organizoni një dasmë luksoze, të mrekullueshme. Ai ofron një nga pamjet më të bukura të Bosforit dhe në të, mund të bëni dasmë si në përralla, një dasmë që do të realizonte ëndrrën e çdo vajze për t’u martuar në një pallat mbretëror.

Ciragan Palace Kempinski në Stamboll, Turqi

 

Slloveni

Vila Bled u ndërtua në vitin 1947 dhe ndodhet në një park magjik në breg të liqenit Bled. Nëse dëshironi një ceremoni intime, të rrethuar vetëm nga familjarët dhe miqtë më të ngushtë, vila Bled do të ishte zgjedhja e duhur.

Vila Bled ne Bled, Slloveni

 

Greqi

Si thoni sikur të martoheni në një ishull të Europës?

Greqia shquhet për ishujt, por kur vjen fjala për t’u martuar, ne duam t’ju këshillojmë ishullin Mikonos. Përse nuk ju këshilluam ishullin e Santorinit, do të pyesni ju. Përgjigjen e kemi gati: sepse Santorini do të ishte zgjedhja e duhur për të kaluar muajin e mjaltit dhe për të bërë fotografi të mrekullueshme në perëndim të diellit në Oia. Ceremoninë mund të organizoni në Mykonosin, një nga plazhet më të bukura, ku do të kaloni një ditë të paharrueshme, bashkë me të ftuarit tuaj. Imagjinoni të jeni duke kërcyer poshtë qiellit me yje në një vend të tillë, e veshur me fustanin e bardhë dhe me njeriun e zemrës.

Mykonos, Greqi

 

Nga Enxhi Tufina

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: