Diary Fillimi

Tri receta në kushte shtëpie për të luftuar viruset

13/03/2020

Jemi duke kaluar një periudhë të vështirë, që ka prekur globin anembanë. Dëgjojmë çdo ditë lajme të këqija në televizor dhe në internet dhe shpresojmë që situata me koronavirusin të përmirësohet sa më shpejt.

Shumica e njerëzve janë mbyllur në shtëpi, që të shmangin përhapjen e virusit, por të rrish në shtëpi, nuk ka pse të na duket si fundi i botës. Kështu, kemi më shumë kohë për të lexuar libra, për të parë filma, për të rregulluar dollapët dhe, ç’është më e rëndësishmja, për të kaluar kohë cilësore me njerëzit tanë më të dashur.

Lexojmë çdo ditë për Covid-19 dhe se si mund të ruhemi që të mos prekemi prej tij. Higjiena e mirë është shumë e rëndësishme, por rëndësi të veçantë duhet t’i japim edhe sistemit imunitar. Ekspertët sugjerojnë të pimë shumë çaj dhe të marrim Vitaminë C, por ka edhe receta të tjera, që mund t’i përgatitim në shtëpi dhe që na rritin imunitetin e luftojnë të ftohtin. Me to, do të keni më shumë energji dhe trupi juaj do të ketë të gjithë përbërësit e duhur për t’u ndier më mirë.

Më poshtë, ju njohim me tre receta nga Medical Medium, që mund t’i përgatitni vetë në shtëpi.

 

Lëng portokalli me turmerik dhe xhenxhefil

Turmeriku është fantastik për të luftuar viruset në trupin tonë. Ai vepron si një antiinflamator dhe redukton viruset. I kombinuar me xhenxhefilin, në këtë recetë, ai ka fuqinë e një centrali elektrik. Nëse keni probleme me tretjen, kollë, dhembje fyti, të ftohtë, grip, virus dhe / ose probleme me sinuset, provoni të shtrydhni turmerik të freskët dhe xhenxhefil, për të përftuar një dozë të vogël serumi të përqendruar ose si në këtë recetë. Pini gllënjka të vogla rregullisht gjatë ditës. Lëngu i përftuar do t’ju ndihmojë të shëroheni sa më shpejt.

 

Përbërësit:

10 cm turmerik

10 cm xhenxhefil i freskët

2 portokaj

4 thelpinj hudhër

 

Përgatitja:

I kalojmë përbërësit me radhë në shtrydhëse, dhe e mbajmë lëngun e secilit më vete. Në një gotë të vogël hedhim një lugë çaji lëng turmeriku, një lugë çaji lëng xhenxhefili, ¼ lugë çaji lëng hudhre dhe ¼ filxhan me lëng portokalli. I përziejmë të gjitha bashkë dhe e pimë menjëherë.

Shënim: sasia e përbërësve varion edhe nga shtrydhësja që përdorni.

Sasia e përftuar: 2 deri në katër filxhanë

 

Shurup shtogu

Shtogu është i mrekullueshëm për të rritur sistemin imunitar. Ai e moderon dhe ekuilibron atë, duke e ndihmuar të fuqizohet në gjithë trupin dhe organet e tij. Përbërja unike fotokimike e lules së shtogut vepron si rritës energjie për qelizat e dobësuara që janë pushtuar nga infeksione patogjene. Lulet e shtogut i dobësojnë viruset e reja në trup. Shurupi me lule shtogu është gjithashtu i ëmbël dhe i shijshëm dhe shërben si ilaç i mrekullueshëm, që edhe një fëmijë do ta shijonte dhe do ta pinte me qejf.

 

Përbërësit:

3/4 filxhan lule shtogu të thara

3 filxhanë ujë

3/4 filxhan mjaltë

 

Sipas dëshirës:

1 shkop kanellë

1 lule e plotë glikanxo

¼ lugë gjelle karafil

 

Përgatitja:

Hedhim në ujë lulet e shtogut (bashkë me erzat, sipas dëshirës), në një enë të mesme dhe i vëmë të ziejnë për 45 minuta ose një orë, derisa lëngu të jetë trashur dhe sasia e ujit të jetë përgjysmuar. Pas kësaj, e heqim enën nga zjarri dhe e lëmë lëngun të ftohet tërësisht. Kur të jetë ftohur, hedhim shurupin e përftuar në një tas, duke shtrydhur edhe kokrrat e luleve të shtogut me një lugë druri. Lulet e shtogut më pas i heqim dhe shurupit i shtojmë mjaltin dhe e ndajmë nëpër filxhanë.

Për më mirë, konsumojmë një lugë gjelle shurup shtogu në ditë. Në rastet kur jemi të ftohur ose me grip, pimë nga një lugë gjelle, tre herë në ditë.

Sasia e përftuar e shurupit: 1-2 filxhanë

 

Lëng perimesh

Lëngu i perimeve është një lëng i fuqishëm, shumë i pasur në minerale, i cili ka në thelb rritjen e imunitetit, edhe nëpërmjet vlerave ushqyese të perimeve dhe erzave, të cilat janë lehtësisht të tretshme, të asimilueshme dhe shumë të dobishme për trupin e njeriut. Kjo recetë e thjeshtë është sa qetësuese, aq edhe ushqyese. Përbërësit e saj janë të vyer për sa i përket vetive shëruese si për trupin, ashtu edhe për shpirtin.

 

Përbërësit:

4 karota të copëtuara ose një patate e ëmbël, e prerë në kubikë

2 tufa selino të prera imët

2 qepë të prera hollë

1 filxhan majdanoz i prerë hollë

1 filxhan kërpudha “shiitake”, të freskëta ose të thata (sipas dëshirës)

2 domate të prera sipas dëshirës (jo të domosdoshme)

1 kokë hudhër (rreth 6-8 thelpinj), të grira

3 cm rrënjë xhenxhefili e freskët

3 cm rrënjë turmeriku e freskët

8 filxhanë ujë

Sipas dëshirës: speca djegës

 

Përgatitja:

Hedhim të gjithë përbërësit në një tenxhere dhe i vëmë të ziejnë me zjarr të ngadaltë për afro një orë. Pas kësaj kohe, i heqim dhe kemi përftuar një lëng të pasur në minerale, shërues të shkëlqyer. Mund ta konsumojmë si lëng, duke i hequr mënjanë perimet, ose si supë për një vakt të lehtë, nëse vendosim t’i konsumojmë edhe perimet.

 

 

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: