Beauty Tips Diary Fillimi

Si të ushqeni mendjen, trupin dhe shpirtin

17/03/2018

Shpesh, nuk e kuptojmë se, duke punuar me orë të gjata dhe duke mos fjetur mjaftueshëm, i shkaktojmë probleme serioze vetes. Bëhemi çdo ditë e më të brishtë dhe mungesa e gjumit na sjell energji negative. Megjithatë, e rëndësishme është të dini se mund ta ndryshoni këtë situatë dhe të filloni të bëni një jetë të shëndetshme. Nëse doni të përkushtoheni për ushqyerjen e mendjes, trupit dhe shpirtit, përgatisni një listë me gjërat që mund të bëni apo të ndryshoni në jetën tuaj. Ky postim ju ndihmon që ta arrini këtë.

Meditimi

Nëse doni ta nisni ditën me energji pozitive, meditoni dhjetë ose pesëmbëdhjetë minuta në shtrat, pa u ngritur ende prej tij. Mbyllni sytë, merrni frymë thellë dhe çlirojeni mendjen. Meditimi sjell kurajën, përmirëson humorin dhe redukton stresin dhe shenjat e depresionit apo të ankthit.

Harrojeni teknologjinë për pak kohë

Teknologjia po na rrëmben kohë cilësore nga jeta jonë, fare pa e kuptuar. Kalojmë shumë kohë me celular dhe laptop, aq sa ndonjëherë duket sikur nuk mbushemi dot me frymë. Për këtë  arsye, por edhe për shumë të tjera, provoni ta kufizoni kohën që i kushtoni pajisjeve teknologjike çdo ditë. Fikni telefonin apo laptopin dhe bëni gjëra të tjera, që ju argëtojnë vërtet.

Lexoni më shumë libra

Librat janë justifikimi më i mirë për të lënë mënjanë pajisjet teknologjike e ndonjëherë, edhe gjithçka tjetër që ju rrethon. Librat ju ndihmojnë të zhvilloni imagjinatën dhe të filloni të besoni tek ëndrrat.

Krijoni playlist-ën tuaj

Bëni një playlist me këngët që ju frymëzojnë apo që ju sjellin energji pozitive. Dëgjimi i muzikës në çaste të ndryshme të ditës, ju ngre humorin dhe largon stresin. Mund ta shoqëroni dëgjimin e muzikës edhe duke kërcyer, nëse ju pëlqen.

Ushqehuni mirë

Sado që t’ju pëlqejnë ëmbëlsirat apo ushqimi i fastfudit, duhet të tregoheni të kujdesshëm me ushqimin. Nuk them se nuk duhet të hani asnjë çokollatë. Tekefundit, nuk keni përse ta kufizoni veten deri në atë pikë, por gjithmonë pa e kaluar masën. Nisni një dietë të shëndetshme dhe do ta vini re menjëherë se si do të ndryshojnë mendja, trupi dhe shpirti juaj.

Merrni ajër të pastër

Në vend që të ushtroheni në ambiente të mbyllura, dilni për vrap dhe do ta shikoni se sa do t’ju shijojë ky aktivitet. Nëse keni qen, mund ta merrni edhe atë me vete dhe të dilni shëtitje pranë ndonjë parku ose liqeni.

Bëni orët e duhura të gjumit

Mungesa e gjumit është si një armik i fshehtë, kështu që duhet medoemos ta ktheni në detyrë të përditshme fjetjen e rehatshme dhe me orët e duhura. 7-8 orë çdo ditë janë të domosdoshme. Gjumi i mirë ushqen mendjen dhe gjithashtu ka një efekt të shkëlqyer edhe në lëkurën tuaj.

Nisni një rutinë të përditshme të kujdesit për lëkurën

Nëse nuk keni një rutinë të kujdesit për lëkurën, të jeni të bindura se ka ardhur koha ta krijoni. Ushqyerja e lëkurës është thelbësore për pamjen dhe kujdesin e përditshëm mund ta nisni me pastrimin, tonifikimin dhe zbutjen e lëkurës. Herë pas here, mund të bëni edhe eksfolim, maska ose serume.

Mësoni të thoni “jo”

“Jo” mund të jetë një fjalë shumë e fuqishme. Mësoni të thoni “jo” me bindje, sa herë që nuk jeni dakord me diçka.

Dilni më shpesh

Filloni të dilni më shpesh, rilidhuni me njerëzit që keni kohë pa i takuar dhe provoni të shkoni në vende të ndryshme nga ato ku shkoni gjithmonë. Ju mund të jeni të kënaqur me miqtë dhe vendet që frekuentoni, por frekuentimi i një vendi të përhershëm nuk është motivues. Ndryshimet janë gjithmonë diçka e mirë, kështu që provoni të ndërroni lokal ose shkoni në ndonjë restorant që ka punësuar një shef të ri kuzhine. Filloni të bëni plane për fundjavën dhe shkoni diku.

 

Shkruajtur nga: Enxhi Tufina

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: