Beauty Tips Fillimi

Si të eksfoliojmë lëkurën

18/04/2018

Eksfolimi është kthyer në nevojë për kujdesin e lëkurës, por ndonjëherë ne mund të gabojmë në përdorimin e tij, qoftë edhe pa dashje. Lëkura ka nevojë të eksfoliohet, sepse eksfolimi e mban atë të freskët dhe të re. Eksfolimi heq qelizat e vdekura dhe ndihmon që produktet e tjera për kujdesin ndaj lëkurës, të penetrojnë më lehtë në lëkurë.

 

Përdoreni eksfolimin çdo javë

Vendosni një rutinë javore për përdorimin e eksfolimit dhe bëjeni atë të paktën një herë në javë. Kur lëkura të jetë mësuar me të, mund ta bëni edhe dy herë në javë.

 

Njihuni me llojin e lëkurës suaj

Duhet të zgjidhni një skrab të përshtatshëm për llojin e lëkurës suaj. Nëse keni lëkurë të yndyrshme, përdorni skrab kremoz, sepse eksfoliuesit me kokrriza i dëmtojnë shumë lëkurat e ndjeshme, ndërsa ata pa kokrriza e mbajnë lëkurën të butë dhe të hidratuar. Ata që kanë lëkurë të thatë, mund të përdorin eksfoliues me kokrriza.

 

Gjithmonë testojeni produktin paraprakisht

Pavarësisht nëse jeni alergjik ose jo, është shumë e rëndësishme t’i provoni njëherë produktet, para se t’i përdorni, sidomos ata që kanë të bëjnë me kujdesin e lëkurës. Provojeni produktin në anë të qafës dhe prisni disa ditë (ndoshta edhe një javë) e pastaj shikoni se si do të reagojë lëkura juaj, ose nëse jeni alergjikë ndaj atij produkti.

Ndiqni me përpikëri udhëzimet

Lexoni gjithmonë me kujdes fletën e udhëzimeve, sidomos kur do të përdorni skrab për fytyrën. Një veprim i gabuar, mund të bëjë që ta dëmtoni fytyrën.

 

Veproni me kujdes

Nëse përdorni eksfoliues me kokrriza, duhet ta aplikoni atë me shumë kujdes, duke i përdorur gishtat në mënyrë rrethore. Nëse e aplikoni me ashpërsi ose shpejt e shpejt, lëkura do të acarohet. Pasi ta përfundoni procesin, lajeni fytyrën me ujë të vakët.

 

Mos kini frikë nga ngjyra rozë që merr fytyra

Gjatë eksfolimit, nëse ndiqni këshillën tonë dhe e kryeni atë me lëvizje rrethore të gishtave, do të vini re se fytyra do të marrë një si shkëlqim ngjyrë rozë. Kjo ndodh për shkak të vërshimit të oksigjenit dhe të gjakut në zonën që po trajtohet. Është një skuqje normale, kështu që mos u shqetësoni. Por duhet të shqetësoheni në rast se ajo skuqje zgjat më shumë se një ditë. Nëse ndodh kjo, vendosni kompresa të ftohta në zonën e skuqur dhe ndryshoni menjëherë skrabin e fytyrës.

 

Kushtojini vëmendje qafës

Mos e lini pas dore qafën, sepse edhe ajo ka nevojë për vëmendjen e duhur.

 

Pas eksfolimit

Pas eksfolimit, këshillohet të përdorni një serum ose krem hidratues, që lëkura të mbetet e butë dhe e qetë.

 

Konsultohuni me një dermatolog

Konsultohuni gjithmonë me dermatologun, para se të vendosni nëse fytyra juaj ka nevojë për eksfolim ose jo dhe cili do të ishte eksfoliuesi i duhur për llojin e lëkurës suaj. Nëse vini re se eksfoliuesi që përdorni apo ndonjë produkt tjetër i kujdesit për lëkurën, nuk ju jep efektin e dëshiruar, lini një takim me dermatologun.

 

Nga Enxhi Tufina

 

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: