Beauty Tips Fillimi

Këshilla për flokë të shëndetshëm

12/04/2018

Shpesh, ne i japim shumë rëndësi kujdesit për lëkurën dhe i harrojmë flokët, por, me ndryshimin e stinëve, duhet të ndryshojmë edhe mënyrën e kujdesit për flokët, sidomos gjatë verës, kur vapa mund t’i dëmtojë shumë ata. Ne i adhurojmë reklamat e shampove, ku shfaqen femra me flokë të përsosur e të shëndetshëm, por mendojmë se ne vetë nuk mund t’i kemi kurrë ata flokë, megjithatë, më poshtë, ne ju paraqesim disa këshilla që do t’ju ndihmojnë t’i mbani flokët tuaj gjithmonë të shëndetshëm.

#1: Lajini flokët dy ose tri herë në javë

Këshillohet të mos i lani flokët çdo ditë. Sado që doni që ata të jenë të bukur përditë dhe për këtë arsye edhe i lani përditë, kjo mënyrë i heq flokëve vajrat natyralë që ata kanë dhe që janë thelbësorë për mbrojtjen dhe ushqyerjen e tyre.

#2: Blini një shampo të thatë (Dry Shampoo) të mirë

Bota sigurisht që u bë më e bukur me shpikjen e shampove të thata, të cilat për personat me flokë të yndyrshëm u kthyen në lajmin më të bukur të jetës. Në vend që t’i lani flokët çdo ditë, përdorni shampo të thatë dhe flokët tuaj do të duken po aq bukur. Mund të lexoni artikullin tonë për shampot e thata këtu, për të kuptuar se sa e rëndësishme është të keni një të tillë. Disa shampo të thata mund edhe t’u shtojnë volum flokëve tuaj, për një pamje më të përsosur.

#3: Mos bëni dush me ujë të nxehtë

Nëse dëshironi të keni flokë të shëndetshëm, gjithçka e ka zanafillën te rutina e larjes së tyre. Pikësëpari, duhet të gjeni shampon dhe balsamin e duhur për flokët tuaj dhe problematikat e tyre (nëse ka). Shmangeni dushin me ujë të nxehtë, sepse ai i dëmton flokët dhe u prish majat e tyre.

#4: Shkumoni skalpin e kokës, jo majat e flokëve dhe pastaj masazhojeni atë

Kur bëni dush, mund të përdorni sa shampo të doni, por harxhoni kohë kot nëse nuk e hidhni atë në vendin e duhur. Synoni gjithmonë skalpin, sepse është zona më e rëndësishme dhe masazhojeni atë, sepse kjo ndihmon edhe në qarkullimin e gjakut.

#5: Përdorni trajtime për flokun

Nëse i lyeni flokët, duhet t’i jepni rëndësi të veçantë kujdesit për të, nëse doni të keni gjithmonë flokë të shëndetshëm. Ka shumë lloje trajtimesh për flokë të lyer, kështu që bëni mirë të investoni në ato më të mirat, si maska apo serume, pa harruar një balsam shumë të mirë.

#6: Thajini flokët me peshqir para se të vendosni balsamin

Po, po, e lexuat mirë! Para se të vendosni balsamin, thajeni pak flokun me peshqir, sepse uji i tepërt në flokë nuk e lejon balsamin të veprojë si duhet dhe për pasojë, nuk i jep atij butësinë e duhur. Gjithashtu, balsamin vendoseni te majat e flokëve dhe jo te rrënjët, sepse skalpi nuk yndyroset shumë.

#7: Fillojeni krehjen nga majat

Gjithmonë përdorni krehër me dhëmbë të gjerë dhe jo furçë, sepse floku i lagur është shumë delikat dhe nëse përdorni furçë, mund të dëmtohet. Krehri është zgjidhja më e mirë dhe bëni mirë ta nisni krehjen nga majat dhe pastaj pjesën e sipërme.

#8: Mos përdorni shumë pajisje të nxehta për stilimin e flokëve

Shmangni sa të mundni pajisjet e nxehta për shtrirjen apo ondet e flokëve, apo edhe tharësen, sepse ato e dëmtojnë flokun. Në vend të tyre, përpiquni të bëni modele të ndryshme flokësh, për të shmangur pajisjet e nxehta. Mund t’i drejtoni flokët ditën e hënë, ndërkohë që të mërkurën mund të bëni një bisht ose gërshet të bukur.

#9: Mos i thani flokët menjëherë

Pasi t’i lani flokët, mund t’i mbani 15 minuta të mbështjella me peshqir, pastaj të përdorni tharësen, gjithmonë duke u siguruar që ta mbani atë në një distancë të sigurt nga flokët. Nxehtësia i dëmton flokët, sidomos nëse keni flokë të hollë.

#10: Përdorni trajtime mbrojtëse

Para se të përdorni pajisjet e nxehta për stilimin e flokëve, zgjidhni ato më të sigurtat për mbrojtjen e tyre.

 

Nga Enxhi Tufina

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: