all Diary

A RISING STAR AND THE GOLDEN RULES

04/12/2015

Të gjithëve na jepet një çast në jetë që duhet ta rrokim dhe ta shfrytëzojmë përpara se të jetë tepër vonë, madje gjithmonë kam qenë e mendimit se pikërisht një çast është ai që u ofrohet të gjithëve për të bërë fatin e tyre. I tillë ishte edhe rasti i bukuroshes Ani, e cila ishte rritur në një provincë të Shqipërisë nga xhaxhai i saj, pasi prindërit e saj e kanë lënë në moshë të vogël. Një histori tragjike, ku babai i saj vendosi t’i japë fund jetës menjëherë pasi nëna e saj u nda nga jeta prej një sëmundjeje të rëndë. Por edhe pse e vetme, bukuroshes së vogël iu dha shumë dashuri, derisa u rrit dhe filloi të ëndërronte. Një ndër ëndrrat e saj ishte edhe të bëhej modele, ndaj në bashkëpunim me një prej televizioneve më të mira në vendin tim, “Agon Chanel” dhe emisionin “Surpriza je ti”, të cilët më dhanë mundësinë që edhe unë të jem pjesë e kësaj eksperience dhe më zgjodhën si “zanën magjibërëse” për Anin, ne vendosëm ta bënim vajzën të ndihej një yll në ngritje, yll për një ditë dhe shpresoj që kjo eksperiencë t’i sjellë asaj fat dhe të jetë një yll i shndritshëm përgjithmonë. Ani vizitoi dyqanin tim në kryeqytet, i cili brenda është i arreduar pikërisht për vajza dhe ka shumë nga markat më të njohura në botë. Aty shkëmbyem shumë biseda mbi modën, blogun tim dhe gjithashtu mbi eksperiencën time për të qenë kjo që jam sot. Unë i tregova asaj rrugën që kam ndjekur, vështirësitë që kam hasur, mosbesimin e njerëzve se do t’ia dilja dhe dëshirën time për t’u treguar atyre se gjykimi i tyre ishte i gabuar. U mundova t’i tregoja se jeta asnjëherë nuk vjen lehtë dhe se krahas besimit në vetvete duhet të kemi besim në Zot dhe të bëjmë vetëm mirë, për të marrë të mira në jetë. Jeta është tepër e shkurtër për të mbajtur mëri apo inate, madje edhe me vetë ata që nuk janë të mirë me ne. Ja disa rregulla të miat, të arta, për t’u ndier sa më të lumtur dhe që gjithçka të shkojë mirë:

  • Jeto dhe shijoje jetën deri në detajet më të vogla që të japin kënaqësi.
  • Asnjëherë mos e kthe kokën pas, pasi e shkuara na ka bërë çka jemi sot dhe gabimet na bëjnë më të zgjuar.
  • Ëndërro gjithë kohën, edhe për gjërat që të duken të pamundura, sepse jeta është shumë e paparashikueshme dhe kjo është e bukura e saj.
  • Puno dhe shfrytëzoje kohën për të gjetur mënyra që të mbajnë afër ëndrrave e për t’i realizuar ato.
  • Puno kopshtin tënd, mos shiko nëse i tjetrit është më i mirë.
  • Ji zemërgjerë gjithmonë, Zoti do ta shpërblejë.
  • Beso fort në dashuri, edhe nëse je zhgënjyer më parë, sepse një ditë do ta kuptosh pse nuk funksionoi me të gjithë të tjerët.
  • Ji vetvetja e mos ndrysho për askënd, pasi të pranosh veten është gjëja që të bën më të lumtur.
  • Jep dashuri pa kushte, pasi dashuria është ndjenja më e bukur dhe sublime.

Këto këshilla u mundova t’ia jepja edhe Anit, pasi janë vërtet rregullat e mia të arta që ia përsëris shpesh vetes dhe që më bëjnë të ndihem e qetë dhe e lumtur duke i praktikuar. Pasi kaluam ditën në dyqan, ne edhe dolëm pak në qytet, realizuam disa foto shumë të bukura dhe madje frekuentuam edhe lokalet më në modë të qytetit. S’kishte lumturi më të madhe sesa të shihje gëzim dhe emocion në sytë e asaj vajze; më kujtoi pak veten time kur isha në moshën e saj, e pafajshme dhe e mbushur plot ëndrra. Shkëmbyem shumë gjëra së bashku, i këshillova dhe dhurova librat e mi të preferuar dhe gjithashtu një palë këpucë shumë vajzërore, por jo gjithçka do të mbarojë vetëm me këtë ditë. Ne do të takohemi shpesh, unë do të mundohem t’i jap ndihmën time të vazhdueshme që Ani të rritet e lumtur. Ndonjëherë, Zoti na sjell në rrugët tona momente dhe njerëz të cilët duhet t’i vlerësojmë, t’i përkrahim dhe t’u japim nga vetja atë çka kemi mësuar nga gabimet tona, sepse vetëm kështu bota mund të bëhet më e bukur. Ne jetojmë që t’i vijmë në ndihmë njëri-tjetrit dhe të punojmë së bashku, sepse ne kemi nevojë për njëri-tjetrin.

Photography Erion Braja

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: