Diary Fashion Fillimi

The Perks of Being a Kardashian-Jenner!

09/05/2018

Kim Kardashian është një ndër personat më me influencë në botën e Hollivudit. Ndoshta mund ta konsiderojmë që po jetojmë në epokën apo në planetin Kardashians dhe ka arritur një pikë që askush nuk mund të shpëtojë nga Kim Kardashian, sepse është e pamundur të mos kesh njohuri për të gjitha lëvizjet e saj. Edhe dikush që nuk është aspak mbështetës i karrierës së saj, ka dëgjuar së paku një herë për bëmat e Kimit apo për familjen Kardashian në tërësi, e cila është familja më e famshme në gjithë botën.

Por fama e familjes Kardashian nuk erdhi e gjitha brenda natës dhe nuk është aspak e rastësishme.

Gjithçka filloi në vitin 1970, në San Diego, kur një adoleshtente takoi një avokat të suksesshëm. E kemi fjalën për Kris Jenner dhe Robert Kardashian, i cili u bë i famshëm për rastin e mbrojtjes së OJ Simpson. Nga ky rast u dëgjua për herë të parë mbiemri Kardashian.

 

Kris Jenner nuk ka menduar asnjëherë për t’u arsimuar, por shpresonte që pasi të mbaronte gjimnazin të gjente një burrë të pasur. Asaj iu thye zemra kur Robert Kardashian e la për Priscilla Presley-n, gruan e Elvis Presley-t, por ata u rikthyen sërish bashkë dhe qëndruan të martuar deri në vitin 1991.

Më pas, Kris martohet me Olympian Bruce Jenner, me të cilin ka dy vajza: Kylie dhe Kendall Jenner. Edhe kjo martesë ka qenë e mirëmenduar nga ajo, pra, një strategji e Kris Jenner. Ajo gjithmonë ka qenë me ide dhe qëllime të qarta.

Qëllimi i vetëm i saj ishte: arritja e famës dhe pasuria, dhe këtë gjë do t’ua impononte më pas edhe vajzave të saj.

 

Kris Jenner quhet ndryshe edhe “momager” duke qenë se është edhe menaxherja e vajzave të saj.

 

Kim Kardashian është vajza e preferuar e Kris Jenner-it, e cila është përkushtuar shumë tek ajo dhe ka ndikuar së tepërmi vetëm e vetëm që ajo të bëhej e famshme dhe e pasur. Kris Jenner “nuk ka lënë gur pa lëvizur” për t’ia arritur këtij qëllimi.

 

Kim fillimisht u bë e famshme pas videos që i doli në të gjitha portalet, ku ajo shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale me ish-të dashurin e saj, reperin Ray J. Megjithatë, kjo nuk ishte aspak rastësore. Ishte vetë nëna e Kim-it, e cila dha idenë e publikimit të asaj videoje, që të arrihej fama e dëshiruar prej saj. Pra, çdo gjë ka qenë e planifikuar prej saj që në momentin e parë që është regjistruar videoja seksi, që është parë edhe si trampolina më e mirë drejt famës për Kim-in. Dhe gjithçka shkoi ashtu siç ishte planifikuar nga e ëma e saj. Videoja që qarkulloi bëri që Kim Kardashian të bëhej shumë e famshme.

 

Kim Kardashian dhe Ray J

Por Kris Jenner nuk e ka lënë me kaq. Ajo e pa këtë si një mundësi të artë për të ecur akoma më para drejt rrugës së famës. Kris u takua me Ryan Seacrest në vitin 2007 dhe bashkë realizuan një “reality show” të titulluar “Keeping up with Kardashians”, i cili tregonte hap pas hapi jetën e tyre, ku përveç Kris dhe Kim u përfshinë edhe vajzat e tjera: Khloe dhe Kourtney Kardashian si dhe Kylie and Kendall Jenner. Me këtë “reality show”, suksesi i tyre ishte i padiskutueshëm dhe që nga ai moment u krijua dinastia e tyre familjare.

 

Përpara se të bëhej e famshme, Kim ruante një shoqëri të afërt me atë që quhet “pararendësja e saj”, Paris Hilton, pasi Kim punonte si asistentja e saj. Të dyja kanë të njëjtën fillim drejt rrugës së famës. Të dyja janë bërë të famshme nga videot seksuale që kanë qarkulluar, por ndryshe nga Paris Hilton, Kim Kardashian është treguar më e zgjuar, pasi ka ditur se si ta mbajë famën e saj dhe të mos kthehet në ata persona që gjatë jetës së tyre kanë një shkëlqim dhe më pas një rënie. Përkundrazi, fama e saj rritet çdo ditë, njëkohësisht edhe pasuria bashkë me pushtetin.

 

Ajo përdori diçka që shumë yje të tjerë nuk dinë ta përdorin: veten e saj të vërtetë.

Kim luan me rrjetet sociale dhe i vendos të gjithë në lëvizje, saqë kthehet në lajmin kryesor të ditës duke ua kaluar me klikime edhe liderëve botërorë. Është e vështirë, pothuajse e pamundur të mendosh se një ditë ti do të zgjohesh në mëngjes, do të hapësh mediet më të rëndësishme botërore dhe nuk do të lexosh asnjë lajm për Kim Kardashian dhe familjen e saj. Madje mund të themi që mediet fitojnë shumë nga Kim-i dhe në njëfarë mënyre duhet t’i jenë mirënjohëse asaj, sepse çdo lajm i prodhuar për të, shet shumë.

Biznesi i Kimit, martesa me Kanye West, selfie-t apo daljet lakuriqe, ose postimet e vazhdueshme për make-up apo modele flokësh, janë në qendër të vëmendjes së të gjithëve!

Çdo gjë që Kardashianet bëjnë kthehet në lajm dhe komentohet pa fund.

 

Kim Kardashian ka krijuar pasuri marramendëse duke e shfrytëzuar famën e saj nga të qenët një yll televiziv dhe një mbretëreshë e rrjeteve sociale. Dinastia Kardashian/Jenner është një prej familjeve më të suksesshme në botën e “show-biz”-it, me një pasuri të përgjithshme prej 173 milionë eurosh. Falë Kimit, u pasurua e gjithë familja dhe sot, secila nga motrat e saj ka bizneset e veta, nga të cilat fitojnë shumë para.

 

Vendimet e Kris Jenner, e cila është edhe nismëtarja e gjithë kësaj historie suksesi, ishin të qëllimshme dhe të planifikuara. Kris Jenner bashkë me familjen e saj ndoshta krijuan edhe termin e njohur “të famshëm për asgjë”.

 

Familja Kardashian është një ndër familjet më të komentuara, e cila shpeshherë ka ngjallur edhe debate televizive.

Por urrejeni apo duajeni, Kim-i do të vazhdojë të pushtojë çdo gjë që ajo dhe familja e saj dëshiron.

 

Nga: Irini Meçe

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: