all Style

SMELLS LIKE TEEN SPIRIT

29/04/2015

Asnjë titull nuk do t’i shkonte më shumë setit tim të preferuar të fotove, pasi aty jam unë dhe gjithë kujtimet e mia të adoleshencës. Gjithçka e ka zanafillën në fëmijërinë time, kur kushërinjtë e mi më të mëdhenj dëgjonin rrymat Grunge dhe Metal të viteve `90. Që në atë kohë, ndieja kënaqësi teksa dëgjoja këtë muzikë, ndonëse isha e vogël. Megjithatë, më pas gjithçka u pasqyrua si duhej në adoleshencën time prej rokereje. Aty njoha çdo grup të rrymave Rock, Grunge, Metal, Heavy Metal, etj, dhe e jetova atë moshë në maksimumin e saj, duke ndjekur çdo koncert të grupeve të mi të preferuar kudo nëpër botë, apo duke frekuentuar vende ku edhe në Shqipëri luhej kjo muzikë. Më vjen për të qeshur kur kujtoj veten plot piercing dhe flokë rozë, por gjithashtu nuk ngopem së kujtuari ato kohë që lanë gjurmë tek unë e që më ndihmuan të jem kjo që jam sot. E them këtë në shumë kuptime, pasi kjo muzikë kërkon një shpirt shumë të lirë për t’u shijuar, por ajo gjithashtu ka ndikuar edhe në stilin që unë kam sot në veshje. Edhe pse herë pas here më duhet të vishem klasike prej punës ose evenimenteve të ndryshme, nuk ka ditë që shijoj më shumë sesa kur veshja ime është kjo, pasi ende çdo ditë në makinën time vazhdoj të dëgjoj këto rryma muzike që më përndjekin kudo. Në fakt, asgjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do ndryshojë kurrë, pasi gjithmonë do të jem fanse e kësaj muzike, do të vazhdoj të ndjek koncerte dhe do të jem një shpirt i lirë për të shijuar jetën në të gjitha kuptimet e saj. Ndikimi tjetër i madh që më ka dhënë kjo muzikë është edhe dashuria për modën, pasi nuk mund të jesh kurrë një “fashion lover” e vërtetë edhe me themele, nëse nuk ke dëgjuar për një kohë të jetës këtë lloj rryme. Këtë e kam lexuar edhe në një prej librave të mi të modës të cilët i koleksionoj prej kohësh e shpesh do t’i ndaj edhe me ju në “My diary”. Në atë libër tregohet se çfarë ka formuar modën ndër vite dhe një pjesë e saj ishin pikërisht këto rryma muzikore, që në fakt edhe sot shërbejnë si frymëzim në mjaft pasarela botërore. Por, unë edhe para se të bindesha duke e lexuar në këtë libër, gjithmonë kam menduar se nuk mund të ndodhë që duke dëgjuar “The doors” apo “Janis Joplin”, të mos imagjinosh veshjet e tyre hippie e të mos ndikohesh prej tyre; nuk mund të ndodhë që duke dëgjuar Heavy Metal të mos kërkosh të kesh një palë Biker Boots ose këto kambale me stil unik të Balenciagas që kam përzgjedhur unë në këtë set; duke dëgjuar Rock nuk mund të mos duash pantallona apo xhaketë lëkure. E gjithë kjo muzikë është ndikimi i madh në fushën e modës, që risolli modën e stilit Grunge, i cili është edhe stili që kam përzgjedhur unë kësaj here me pantallona tipike të viteve `90, që i kam gjetur më në fund tek “American Apparel”. Xhaketa e lëkurës shumë Rock nga Jean Paul Gaultier, një ndër tee-shirt që adhuroj me Guns N’ Roses, çanta Lulu Guinnes që i shkon shumë këtij stili dhe detaji i fundit, syzet fantastike të Dior që sërish na kthejnë në vitet `90. Këto rryma, krahas stilit Grunge kanë ndikuar edhe në mjaft stile të tjera që emrat më të mëdhenj të modës i kanë risjellë në pasarela, por që do t’i trajtojmë në editoriale të tjera. Muzika ka shërbyer si frymëzim ndër vite dhe do të vazhdojë të jetë gjithmonë frymëzim për të gjithë ne, sepse muzika është vetë jeta.

Photography Geljant Kaleci

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: