Beauty Tips Fillimi

Si të aplikoni kremin e syve

14/04/2018

Kremi i syve është thelbësor për kujdesin e lëkurës, por ndonjëherë ne gabojmë në përdorimin e tij. Për të shmangur pasojat e keqvendosjes së kremit të syve, Rebel Heart ju tregon mënyrën e duhur për përdorimin e tij, duke ndjekur disa hapa, që i gjeni më poshtë.

Pikësëpari, zgjidhni kremin e syve që është i përshtatshëm për nevojat dhe llojin e lëkurës suaj. Kushtojini vëmendje përbërësve të tij, sepse mund të jeni alergjik ndaj ndonjë prej tyre, dhe gjithashtu kushtojini vëmendje përshkrimit të produktit në letrën e ambalazhimit, për të marrë gjithë informacionin e duhur për funksionin dhe përdorimin e tij. Mund të gjeni krem sysh për të gjitha llojet e problemet në lidhje me sytë: për rrudhat e para që shfaqen rreth syve, rrathët e zinj të syve, rrudhat, për sy të lodhur. Gjithashtu, për moshat më të reja ka produkte që parandalojnë plakjen e lëkurës. Nuk është asnjëherë herët për t’u kujdesur për lëkurën dhe për të parandaluar plakjen e saj të parakohshme, sidomos kur bëhet fjalë për zonën e syve, e cila është tejet delikate.

Përdorimi i gishtit tregues për aplikimin e kremit është i gabuar, sepse gishti tregues i mëshon fort lëkurës së syve dhe kjo mund ta dëmtojë atë. Për të shmangur çdo lloj problemi që mund të sjellë kjo, bëni mirë ta përhapni kremin me gishtin e unazës. Ai është më i lehtë mbi lëkurë. Vetëm sigurohuni që ta masazhoni lehtë lëkurën ndërkohë që aplikoni kremin.

Një gabim tjetër që bëhet rëndom është zona e aplikimit të kremit të syve, sepse shumica e përdorin atë vetëm poshtë syve. Ai duhet vendosur edhe poshtë vetullës, sepse edhe ajo është një zonë gjithaq delikate, e cila kërkon vëmendje maksimale. Pra, sigurohuni që ta aplikoni kremin rreth gjithë zonës së syve, që nga qoshja e brendshme e tyre, e deri poshtë vetullës, duke përdorur vetëm gishtin e unazës, derisa kremi të përthithet tërësisht nga lëkura.

 

Nga Enxhi Tufina

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: