Fashion Fillimi Style

Rrobat e banjës më të mira për format e trupit tuaj

29/04/2018

Sado që na pëlqejnë shumë veshje dhe duam të veshim gjithçka të bukur që na zënë sytë, është mirë që të përpiqemi të vishemi në përputhje me format e trupit tonë. Me veshjet e përditshme është më ndryshe, sidomos me veshjet dimërore, me të cilat mund të eksperimentojmë me stilet dhe prapë të dukemi bukur, por puna vështirësohet pak kur bëhet fjalë për të zgjedhur rrobat e banjës. Në treg ka mijëra modele dhe ne mbetemi gjithmonë me dilemën se cili model është i përshtatshëm për trupin tonë. Për t’jua lehtësuar punën, Rebel Heart ju tregon se cilin stil duhet të zgjidhni në përshtatje me format e trupit tuaj.

 

Për ato që kanë bust të madh

Nëse keni bust të madh, duhet të zgjidhni rroba banje me reçipeta sipas numrit të reçipetave që mbani përditë. Kërkoni rroba banje me reçipeta me tel, sepse është e vetmja mënyrë që gjoksi juaj të duket mirë. Gjithashtu, merrni reçipeta me rripa të trasha dhe kupa të plota e të larta që busti juaj të duket i patëmetë.

 

Për ato që kanë bust të vogël

Nëse keni bust të vogël, zgjidhni rroba banje me reçipeta që nuk ta mbulojnë shumë gjoksin. Nëse keni trup atletik, reçipetat me formë trekëndore janë gjithmonë zgjidhja e duhur, edhe kur janë me “push-up”. Kur keni bust të vogël, mund të vishni pa frikë edhe reçipeta pa rripa.

 

Për trupat trekëndësh

Vajzat me trup më të ngushtë sipër dhe me kofshë dhe vithe të mbushura gjithmonë na kujtojnë Beyonce-n ose Jennifer Lopez-in. Sekreti për t’u dukur të përsosura, nëse keni një trup trekëndësh është mbulimi i pjesës së poshtme të trupit. Nëse doni të krijoni pak ekuilibër, zgjidhni rroba banje me reçipeta të lidhura pas qafës, sepse ato të krijojnë përshtypjen sikur keni shpatulla më të gjera. Nëse doni të tregoni sa më pak vithe, mos zgjidhni rroba banje me të poshtme me shumë copë në pjesën e pasme, sepse nuk do të dukeni mirë. Rrobat e banjës me të poshtme me fund përsipër janë një zgjidhje shumë e mirë, por nëse doni t’i nxirrni në pah vithet ju këshillojmë bikini braziliane.

 

Për ato që kanë pak vithe

Nëse keni pak vithe, ose të pasme të sheshta, harrojini rrobat e banjës me të poshtme të plota. Zgjidhni gjithmonë ato me të poshtme që tregojnë edhe pak vithet dhe që janë në ngjyra të ndezura. Ngjyrat shkaktojnë një lloj shpërqendrimi nga pjesa e të ndenjurave dhe kështu ato nuk do të bien shumë në sy.

 

Për ato që kanë forma të rrumbullakëta

Nëse keni forma të rrumbullakëta, përqendrohuni te këmbët, që të krijohet ideja se keni këmbë të gjata dhe rrobat e banjës me të poshtme me rripa të lartë janë zgjidhja e duhur. Me format tuaja trupore, mund të keni dëshirë edhe ta fshihni barkun, dhe të poshtmet me bel të lartë gjithashtu janë një zgjidhje e mirë.

 

Për ato që kanë forma trupore të lakuara

Nëse keni trup me forma trupore të lakuara, nuk keni përse të fshihni asgjë. Ju duhet t’i nxirrni sa më në pah format tuaja dhe madje me shumë vetëbesim. Rrobat e banjës me forma asimetrike do të ishin zgjidhja e përsosur, sepse ato theksojnë të gjitha format e trupit. Gjithashtu, edhe rrobat e banjës trupore janë shumë të mira për këto lloj trupash, sidomos nëse zgjidhni një palë me dekolte të theksuar.

 

Nga Enxhi Tufina

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: