Fashion Fillimi

Pse shtëpitë e modës duan të rikthejnë trendet e viteve ’60 dhe ’90?

22/03/2018

Moda po i reziston kohës, ashtu si veprat më të mëdha të artit dhe kjo nuk është asnjëherë mendjelehtësi, por dëshirë për të evidentuar karakterin tonë dhe mënyrën se si vishemi. Ka vetëm pak kohë që kemi lënë pas muajin e modës. Në një vështrim të përgjithshëm, ajo që na ra në sy ishte trendi i viteve ‘60 apo dhe i viteve ‘90. Me sa duket, stilistët kanë nostalgji për të kaluarën dhe duan të na risjellin në vëmendje ato trende që kanë ekzistuar në atë periudhë. Vitet ‘60 apo vitet ‘90, ndër dekadat më me ndikim për modën bashkëkohore, sot janë  më prezente se kurrë, duke u vendosur në qendër të vëmendjes së firmave. Xhinset vintage, syzet e diellit matrix, bluzat crop-top, çantat e vogla që mbahen në mes, kuadratet, peneli i syve me bisht të theksuar etj., janë trendet që po dominojnë së fundmi.

Moda po ripërsërit veten gjatë gjithë kohës.

 

 

 

Po pse ndodh kjo dhe pse shtëpitë e modës janë kaq të fokusuara në trendet e asaj periudhe?

Nostalgjia që kemi për atë kohë, mund të theksohet si një nga arsyet kryesore. Modeli i viteve 1960 ishte ndryshe nga çdo dekadë tjetër, sepse veshja ishte aq revolucionare dhe elegante. Ajo që është më e rëndësishme është se shpikjet e stilit të viteve ’60 hapën rrugën për trendet e sotme dhe sollën ide krejtësisht të reja në peizazhin e modës. Ndikimet e modës së viteve ’60 apo të viteve ‘90 mund të vihen re lehtësisht në modën bashkëkohore, mjafton që të hedhim sytë te sfilatat më të fundit. Kur përmendim modën e viteve ’60, sigurisht që në mendje na vijnë si imazh ikona të modës, si: Princeshë Diana, Edie Sedgwick, Audrey Hepburn, Marilyn Monroe, Brigitte Bardot, Spice Girls, Jackie Kennedy etj. Kjo e fundit sot është kthyer në burim frymëzimi për shumë stilistë.

Ishte Moschino që këtë vit na prezantoi koleksionin Vjeshtë/Dimër 2018, ku edhe shihej mjaft qartë ndikimi i Kennedy-t. Kostumet e saj klasike janë kthyer për të na treguar sërish se sa hijeshi dhe stil ka pasur Jackie Kennedy dhe vitet ’60 në botën e modës.

 

Moschino Vjeshtë/Dimër 2018

 

 

Stili folklorik, që ka qenë shumë i dashur nga të gjitha vajzat revolucionare të viteve `60, tani po përjeton një periudhë të re, falë koleksionit të Etro-së.

 

Etro Vjeshtë/Dimër 2018

 

Moda rrotullohet dhe me makinën e saj të kohës kthehet shpesh pas, duke na risjellë stile të vjetra, që nuk mendonim se do të riktheheshin. Por çfarë po ndodh me të tashmen? Është e kuptueshme që na lind kjo pyetje. Çfarë do të mbajmë mend nga moda dhe stili i vitit 2018 pas një dekade? Është vështirë t’i kthesh përgjigje kësaj pyetjeje, sepse sfilatat, koleksionet Pranverë/Verë 2018 dhe Vjeshtë/Dimër 2018-2019 janë thjesht back in time, duke rikthyer stilin e viteve ’60, ’70, ’80 dhe ’90, që ishin dhe periudhat më të arta të modës.

Nëse kërkoni që stili juaj të ketë hijeshi dhe elegancë, atë do ta gjeni vetëm në periudhën e viteve ’60 dhe ’90, por, gjithmonë duhet pasur parasysh që të mbeteni origjinalë. Frymëzohuni, por përkthejeni frymëzimin në stil sipas mënyrës suaj.

 

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: