Diary Fillimi

Librat që më kanë frymëzuar

23/08/2018

Ekzistojnë disa libra që të ndryshojnë jetën përgjithmonë. Libra që të frymëzojnë dhe të motivojnë, libra që të ndryshojnë botën dhe mënyrën e perceptimit. Ata kanë fuqinë që të na ndryshojnë, për mirë, sigurisht; kanë fuqinë që të na japin mesazhe shumë të rëndësishme për jetën dhe na japin një tjetër dimension se si të shohim botën jashtë. Edhe për mua kanë qenë disa libra që kanë ndikuar shumë tek unë dhe botëkuptimi dhe mendimet e mia sot janë meritë e tyre. Në këtë artikull dua të ndaj me ju disa nga librat e mi të preferuar, ata që më kanë frymëzuar dhe që do t’jua sugjeroja edhe ju.

 

 

“Një tragjedi amerikane” Teodor Drajzer

Këtë libër ma ka sugjeruar im atë, në njëfarë mënyre si “detyrim” nga ana e tij, për të nisur rrugëtimin tim drejt leximit. Kam qenë në klasë të shtatë kur lexova për herë të parë një roman për të rritur dhe ashtu siç tha edhe babai im, ky libër më la mbresa dhe më shtoi akoma më shumë dëshirën për të lexuar. “Një tragjedi amerikane” më ka pëlqyer më shumë për faktin se si arrinte të nxirrte në pah dhe paraqiste portretin e shoqërisë, vlerat dhe ambiciet.

 

“Gjeniu” Teodor Drajzer

Sigurisht që Drajzer do të ishte i pranishëm dhe do të ndikonte në jetën time dhe në botën time të leximit. “Gjeniu” është një tjetër libër nga ai që e veçoj, si libër që më ka frymëzuar gjatë gjithë kohës. Një libër që trajton çështje të dashurisë dhe pasionit, i cili më ka motivuar të bëj ëndrrat realitet, një libër që po ashtu të ndryshon këndvështrimin për shumë gjëra në jetë.

 

“Tre Shokët”, Erich Maria Remark

Ky është libri që do t’ua këshilloja të gjithëve dhe një ndër të preferuarit e mi. Është një libër që në qendër ka miqësinë e vërtetë dhe themelet në të cilat ndërtohet ajo. Ndonëse jetojmë në periudhën dhe epokën e teknologjisë, ku rrethohemi nga shoqëri virtuale, ku shohim që çdo ditë e më shumë vlerat e miqësisë së vërtetë po humbasin pak nga pak, ky libër mendoj se do të jetë një frymëzim për të gjithë, për të rikujtuar se sa e rëndësishme dhe e vështirë është të mbash gjallë një miqësi të vërtetë.

 

“Harku i triumfit”, Remark

Është pa dyshim libri im i preferuar dhe sigurisht që Remark është autori që unë preferoj më së shumti. Historia e dashurisë së Xhoanës dhe Ravikut është një nga më të bukurat e letërsisë botërore. Drama e dashurisë së humbur është ajo pjesë që të mban të mbërthyer pas këtij libri. Libër që të bën të ndiesh tiktakun e sekondave të jetës, por edhe dhimbjet e një dashurie të humbur. Remarku di shumë mirë si të përshkruajë dhe të zbërthejë botën shpirtërore, aq sa të bën edhe ty të humbasësh në rreshta e të ndjesh dhimbjen e Ravikut, teksa sheh Xhoanën duke u puthur me dikë tjetër. Një ndër librat më të bukur që kam lexuar.

 

“100 vjet vetmi” Gabriel Garcia Marquez

Për njerëzit që kanë dëshirë të fantazojnë dhe të udhëtojnë në një botë siç ata duan të jetë, do t’u sugjeroja “100 vjet vetmi” dhe librat e Izabel Allende, kryesisht librin “Ishulli në det”.

“100 vjet vetmi” është përfaqësuesi më i madh i realizmit magjik. Është një libër shumë i ndier, që trajton vetminë, dhe e gjithë vepra përshkruhet nga malli dhe shpresa e vazhdueshme për personin e zemrës. Një ndër shprehjet e bukura të këtij libri është:

“Nuk do t’i këmbeja kënaqësitë e vuajtjes sime për asgjë në botë.”

 

“Ishulli në det” – Isabel Allende

Ahhh, e dua këtë libër për faktin se si trajton rëndësinë e lirisë dhe për fitimin e dinjitetit. Një roman dashurie, por edhe një roman për skllavërinë, të vërtetën dhe kuptimin e vërtetë të lirisë. Emocionues dhe i rekomanduar për ata që pëlqejnë histori të mira imagjinare, të gërshetuara me faktet reale që zbukurojnë rrëfimin. Një libër që të mëson dhe të bën të reflektosh për të mos biseduar për budallallëqe, por vetëm për gjëra të rëndësishme.

 

Novelat e Stefan Cvajg

Novelat e Cvajgut i përshtaten shumë mirë tipit dhe natyrës sime, pasi Cvajgu është i prirur që të zhbirojë botën e brendshme, të analizojë karakteret njerëzore dhe të rrëfejë aq bukur emocionet dhe ndjenjat. Te Cvajgu mbizotëron më shumë dashuria dhe vetëm ai mund t’i shkruante kaq bukur dashurisë dhe fuqisë së pasionit. Kur unë kam lexuar Cvajgun, në një dorë mbaja një stilolaps për të nënvizuar dhe më pas për t’i hedhur te blloku im të gjitha shprehjet e dashurisë që përmenden në libër.

 

Poezitë e Pablo Nerudës

Unë gjithashtu adhuroj poezitë, por poezitë e mia të preferuara janë të Pablo Nerudës, të cilat i rilexoj gjithmonë dhe nuk më mërziten kurrë, përkundrazi, më frymëzojnë kaq shumë. Dashuria, zemërimi, vuajtjet, vetmia dhe shoqëria janë motivet e poezisë së Nerudës. Janë poezi që të japin dridhje dhe plot emocione.

 

“Alkimisti” Paulo Coelho

Këtë libër e kam lexuar jo më larg se vjet dhe do t’jua sugjeroja të gjithëve, sepse ka për t’ju ndryshuar jetën dhe mënyrën e perceptimit të gjërave, ashtu siç ndodhi edhe me mua. Çdo fjali përmban një mesazh në vetvete në këtë libër që sot është një ndër librat më të shitur dhe të suksesshëm të Coelho-s. “Alkimisti” është një libër i brishtë, i cili të shtyn të realizosh ëndrrat e tua dhe të ndjekësh gjithmonë zërin e zemrës.

 

“Chanel, një jetë si në përrallë” – Alfonso Signorini

Një libër dhe një histori që më ka impresionuar për mënyrën se si një femër kërkonte me ngulm pavarësinë dhe të drejtat e saj në një epokë dramatike. Rrobaqepësja nga fshati, por me ide shumë të guximshme është pa diskutim një femër me shumë talent dhe me plot pasion, aq sa mundi të krijonte dhe të ndryshonte historinë e veshjeve të femrave. Ajo ka bërë revolucion dhe mbetet një gjeni në fushën e modës. Ky libër më ka impresionuar dhe më ka motivuar për të realizuar ëndrrat e mia.

 

“Muzeu i pafajësisë” Orhan Pamuk
Kam lexuar disa libra të Orhan Pamukut, por këtë libër do ta veçoja, pasi më impresionoi për shkak të historisë së dashurisë së pamundur dhe mënyrës se si ai e adhuronte atë. Libër që më ka futur në mendime dhe ëndërrime. Një muze, si dedikim dashurie, dedikim për Stambollin, një roman dashurie që të bën të humbasësh mendjen. Do t’ua këshilloja të gjitha vajzave.

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: