all Diary Fillimi

In memoriam of Marilyn

28/06/2016

Një vit më parë, pikërisht në muajin qershor, më lindi ideja për të ribërë disa foto të Marilyn Monroe-së dhe për t’i risjellë ato, sigurisht që jo njësoj si të sajat, por të frymëzuara prej saj dhe viteve kur ajo jetoi. Që në moshën e adoleshencës, shpeshherë fiksohesha me femrat “pin up”, duke i studiuar mirë ato, format dhe stilin e tyre, dhe e gjeja veten tek ato femra dhe vitet ‘40, ‘50 dhe ‘60. Sa herë rikthehem tek ato vite emocionohem dhe mendoj se vërtet do të kisha dashur t’i jetoja dhe të ndihesha si ato femra, të cilat ishin femra me plot kuptimin e fjalës. Asokohe nuk ekzistonin dieta, por ato kishin forma të lakuara dhe fustane të puthitura pas trupit apo rroba banje me bel të lartë apo forma klasike.

Kur rikthehesh në ato vite, të duket sikur edhe vetë Hollivudi kishte tjetër kuptim, me ikona si Marilyn Monroe, James Dean, Frank Sinatra, Marlon Brandon, Audrey Hepburn etj., që sot janë figura të pavdekshme. Ndoshta ju mund të pyesni përse unë zgjodha të ribëj fotot e Marilyn-it. Përgjigjja është shumë e thjeshtë për mua: e zgjodha Marilyn-in jo sepse mendoj se ngjaj me të, por sepse librat që kam lexuar nga Marilyn, më kanë lënë mbresa në një formë të çuditshme, të papërjetuar më parë. Marilyn nuk ka qenë femra më e bukur dhe as më e zgjuara, por ajo ka mishëruar kuptimin e fjalës koketë apo lozonjare, tamam si një fëmijë, dhe unë këtu e gjej mjaft veten time, ndoshta edhe për faktin se ajo ishte shenja ime, Binjakët.

Dikur, nuk kam pasur shumë informacione, pasi nuk i kisha parë filmat e saj apo nuk kisha lexuar për të, por kur pashë për herë të parë një film ku ajo kishte rolin protagonist (How to marry a millionare), në mënyrën sesi ajo aktronte, vura re diçka… diçka shumë tipike… diçka që nuk mund të ishte thjesht aktrim. Që prej asaj dite vendosa të lexoja për të, versione të ndryshme librash dhe historish, aq sa sot më duket sikur e kam njohur gjithmonë atë dhe shpirtin e saj lozonjar prej fëmije. Për këtë arsye, në muajin e saj, në qershor, vendosa të ndaj me ju kujtimin e Marilyn-ës, në këto foto kaq të veçanta.

Foto: Endrit Mertiri
Makeup: Suela Cangu

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: