all Fashion

HAUTE COUTURE WEEK

14/12/2015

Ky muaj ka qenë muaji i veshjeve luksoze ose ndryshe “Haute Couture” të disa prej markave më të njohura botërore. Pavarësisht se secila kishte specialitetin e saj, unë kam përzgjedhur të ndaj me ju disa prej të preferuarave të mia. Teksa i shohim të gjitha të përzgjedhurat, futemi në një botë përrallore, ndaj shijojini.

Elie Saab World

Bota e Elie Saab për mua mbetet numri një për sa i përket fustaneve të mbrëmjeve dhe atyre të nusërisë. Këto fustane janë ëndrra e çdo vajze, të punuara me kujdes dhe finesë dhe mjaft me stil. Siç e shikojmë dhe në këtë foto, Elie Saab ruan të njëjtin stil klasik për sa i përket fustaneve, por çdo vit ndryshon ngjyrat dhe dizajnët, megjithatë nuk është e vështirë të dallosh një veshje të kësaj marke, pasi gjithmonë ka ditur të ruajë veçantitë e saj. Fustanet fillojnë nga ato për mbrëmje me mjaft xixa shkëlqyese të punuara me kujdes, vijojnë me fustanet prej princeshash plot lule dhe material mëndafshi, e deri tek ato të nusërisë që nuk besoj se ka vajzë që nuk i ëndërron për martesën e saj.

Historic Valentino

Në sfilatën “Haute Couture” të Valentinos, të realizuar në Romë, përveç bukurisë së fustaneve, ajo që e bën madhështore është prekja historike që i dhanë realizuesit e saj. Jo më kot është realizuar në këtë qytet, pasi ajo që më kujtuan fustanet e këtij koleksioni ishte pikërisht Roma e lashtë, madje dhe aksesorët e modeleve, sidomos në kokë, na kujtojnë Romën e Lashtë dhe ndoshta pak heronjtë dhe princeshat e asaj kohe, por që vijnë në këtë sfilatë në version femëror dhe mjaft modern në të njëjtën kohë. Për mua ka qenë një ndër sfilatat e realizuara më bukur dhe me veshje që na kthejnë pas në kohë në formën më të bukur.

Një Zuhair ndryshe

Edhe pse vihet re prekja magjike e Zuhair Murad në çdo veshje që bën dhe është e lehtë të dallosh punët e tij, kësaj here shohim një prekje disi më ndryshe. Në koleksionin e tij të ri shohim dy stile, atë të “princeshës së natës” që mban veshur një fustan sharmant të kuruar me kujdes dhe kurorën në kokë, por edhe stilin modern, në disa prej të cilëve ka edhe pantallona të përshtatura për evenimente shumë të rëndësishme si për shembull ato red carpet. Kjo larmi e pafund i lë çdokujt mundësi zgjedhjeje dhe është një risi mjaft e veçantë.

Dolce Gabbana përrallore

Kësaj radhe sfilata Haute e Dolce Gabbana ishte diçka vërtet përrallore, që nga fustanet e mahnitshëm dhe deri te kurimi i vendit ku u zhvillua sfilata. Sfilata u organizua në shtëpitë e vetë stilistëve, “Castello Brown” në Portofino dhe kjo ishte një ide gjeniale sepse sfilata tejçonte atë që ata vërtet përfaqësojnë dhe dukej qartë që ishin idetë e tyre të shpalosura më së miri. Një fllad veror, një qytet si Portofino, një shtëpi përrallash që mbante edhe të ftuar të veçantë dhe fustane që të bënin të imagjinoje princeshat e përrallave nëpër pyje, tamam kur zana magjike i shndërron ato me fustane që nuk gjenden fjalë për t’i përshkruar. Me të gjitha këto detaje, kjo ka qenë edhe një ndër sfilatat më të bukura.

Bohemian Versace

Ndoshta për herë të parë shohim një stil të tillë te Versace. Mendoj kështu pasi edhe pse kjo linjë sjell gjithmonë risi. Me këtë pasarelë ndoshta po bëhet edhe e paparashikueshme. Ajo që më pëlqen dhe më tërheq shumë vëmendjen është fakti që kanë alternuar klasin dhe finesën, me një look disi bohem dhe me prerje të viteve `70, ku nuk mungon as kurora hippie. Kjo gjë e bën shumë të veçantë, sjell risinë dhe diçka ndryshe, të paparë ndonjëherë. Nëse do të zgjidhja një fustan mbrëmjeje, ky koleksion i Versace do të ishte ideali.

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: