Beauty Tips Fillimi

Fakte dhe Mite rreth depilimit

24/05/2018

Për vite me radhë kemi dëgjuar aq shumë për depilimin dhe kemi arritur në një pikë ku nuk dimë më se çfarë është e vërtetë në lidhje me këtë proces dhe çfarë është e gënjeshtërt. Me aq sa janë thënë për të, është e rëndësishme t’i kushtojmë vëmendje vetëm fakteve të vërteta për rruajtjen, depilimin me dyllë dhe depilimin me lazer.

Depilimi i zbut shumë qimet

Kjo është e vërtetë dhe është edhe arsyeja përse shumë njerëz parapëlqejnë depilimin me dyllë ndaj rruajtjes ose kremit të depilimit. Nëse depiloheni prej vitesh me dyllë, do të vini re që qimet tuaja do të jenë më të holla dhe depilimi do të jetë gjithmonë e më pak i dhimbshëm.

 

Mos i prisni majat e qimeve para se të shkoni tek estetistja

Para se të shkoni tek estetistja, nuk duhet t’ju vijë turp nëse ju janë rritur qimet më shumë seç duhet. Kam dëgjuar që shumë vajza i presin majat e qimeve para se të shkojnë tek estetistja, gjë që është shumë e gabuar, sepse mund të ndodhë që t’i prisni më shumë seç duhet dhe atëherë dylli nuk arrin t’i shkulë mirë qimet. Harrojeni turpin dhe gjithçka tjetër, sepse rritja e qimeve është një fenomen normal, dhe lëruani profesionistëve në dorë heqjen e tyre.

Depilimi me dyllë shkakton rritjen e qimeve brenda në lëkurë

Ato që depilohen me dyllë prej vitesh janë më se të vetëdijshme për fenomenin e rritjes së qimeve nën lëkurë. Kjo ndodh sepse sa më shumë depiloheni me dyllë, aq më e hollë bëhet qimja dhe aq më të vështirë e ka të çajë lëkurën e të dalë. Ndonjëherë, qimet e rritura në brendësi të lëkurës mund të sjellin acarime të saj dhe për ta shmangur këtë është mirë që të përdorni skrab trupi ose një eksfolim të lehtë një herë në javë.

Mos pini kafe para se të depiloheni me dyllë

Kur e dëgjova për herë të parë këtë, kujtova se ishte thjesht një mit, por pasi e provova vetë, u binda plotësisht për vërtetësinë e saj. Nëse pini kafe para se të shkoni të depiloheni tek estetistja, kafeina do ta bëjë lëkurën tuaj më të ndjeshme dhe për pasojë, edhe dhimbjet do t’i ndjeni më shumë. Kështu që përpiquni të mos konsumoni produkte që përmbajnë kafeinë, para se të depiloheni me dyllë.

Depilimi me lazer nuk është për të gjithë

Nëse doni t’i hiqni qimet me lazer, fillimisht duhet të konsultoheni me një mjek. Gjithashtu, duhet të dini se nëse keni tonalitetin e duhur të lëkurës, depilimi me lazer do të ketë shumë sukses. Nëse keni qime të errëta dhe lëkurë më të çelur, mund të bëni pa frikë depilim me lazer.

 

Deri tani përmendëm të vërtetat për depilimin, por ka edhe disa të pavërteta që qarkullojnë më së shumti mes femrave dhe mendoj se ka ardhur koha t’u japim fund thashethemeve në lidhje me këtë temë.

 

Depilimi me rruajtje i shton dhe forcon qimet

Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse profesionistët e kanë vërtetuar shkencërisht se argumentet në lidhje me këtë temë janë të rreme. Depilimi me rruajtje thjesht i heq qimet vetëm në sipërfaqe të lëkurës dhe kaq. Ngjyra e qimes dhe forcimi i saj ndryshon vetëm kur depilimi bëhet me gjithë rrënjë. Pra, nëse rruheni, mos kini frikë se qimet tuaja do të bëhen më të shumta apo më të forta.

Rruajtja heq ngjyrën e plazhit

Kjo vlen vetëm nëse flasim për nxirjet artificiale. Po, rruajtja e heq nxirjen artificiale, por nuk mund të heqë asnjëherë nxirjen natyrale. Gjithë ato orë pa fund nën rrezet e diellit nuk mund të ikin me përdorimin e një brisku.

 

Nga Enxhi Tufina

 

 

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: