all Style

DG FAMILY

09/06/2015

DG Family Këtë vit, një ndër pasarelat që na tërhoqi më shumë vëmendjen ishte pikërisht ajo e Dolce & Gabbana, për vetë faktin se iu kushtua familjes, kryesisht vajzës, gruas, nënës… Pamë në këtë sfilatë, Bianca Baltin shtatzënë dhe modele me forma nga më të ndryshmet dhe me anë të kësaj përzgjedhje jam e sigurt që çdo vajzë ka gjetur veten në #DGfamily. Prej disa vitesh tashmë, Stefano dhe Domenico janë frymëzuar prej disa vendesh si Sicilia, Spanja dhe Meksika në krijimin e veshjeve të tyre, por ajo që na prek më shumë është frymëzimi nga diçka e shenjtë, siç është familja, dhe kjo duket qartë edhe në fushatat publicitare të DG. Krahas veshjeve të tyre të bukura dhe stilit unik, vihet re diçka më thelbësore, si ikonizimi i madhështisë së gruas në vetvete. Kjo na bën të ndihemi tepër të veçanta dhe ta duam edhe më shumë këtë linjë. Rrobat e banjës që unë kam zgjedhur i përkasin linjës Spring\Summer dhe e adhuroj këtë dizajn, sidomos sepse të nxjerr në pah më së miri format e trupit dhe gjithashtu ka një kombinim shumë të bukur ngjyrash që lejojnë edhe krijimin e look-ut ashtu si në pasarelat e tyre. Unë gjithmonë kam qenë një adhuruese e kësaj linje, pasi është shumë e përshtatshme për format e mia, por edhe pse e gjej veten më së miri në dizajnet e tyre dhe në modelet e veshjeve të tyre ala “femme fatale”, që më kujtojnë filmin “Malena” me aktoren Monica Belluci, të cilën gjithmonë e kam adhuruar për linjat e saj aq të lakuara, të përsosura dhe tiparet e theksuara mesdhetare. Dikur, kur isha në moshë të vogël, mamaja ime vishte shpesh kostume të Dolce & Gabbana dhe unë e shihja dhe impresionohesha prej saj, aq sa në pavetëdijen time krijova një lidhje që në fëmijëri me këtë linjë dhe ndiqja bashkë me mamin edhe sfilatat e tyre në Fashion TV. Ato ditë më kujtohen edhe sot, kujtoj sesi ato pasarela lanë gjurmë në mendjen time dhe më bënë të jem një ndjekëse e tyre edhe në ditët e sotme. Ky shërbim fotografik është ndër të preferuarit e mi, pasi në të ndihem vetvetja, brenda stilit tim dhe gjithashtu më bën të ëndërroj shumë, si një adhuruese e vendeve latine dhe e këtij “look”-u. Gjatë realizimit të tij u ndjeva si aktore e një filmi të vjetër dhe fotografi, Endri, më kishte krijuar gjithashtu rrethanat e përsosura për t’u ndier e tillë

Photography: Endrit Mertiri

Make Up: Suela Cangu

Ju mund të dëshironi

No Comments

Leave a Reply

Këtë e pëlqejnë %d blogues: